Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, të përgatitur dhe konsoliduar nga Thesari i Kosovës. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar janë realizuar pagesa në vlerë prej 3 miliardë e 487 milionë euro, ndërsa pranimet kanë arritur në 3 miliardë e 512 milionë euro. Murati ka bërë të ditur se deficiti buxhetor ishte 0.07 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV), krahasuar me planifikimin prej 2 për qind, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit para deputetëve, Murati tha se raporti përfshin ekzekutimin e buxhetit nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025, sipas ndarjeve buxhetore të miratuara.

“Të nderuar zotërinj kryetarë, të nderuar deputetë, bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, me plotësim-ndryshimin përkatës, paraqesim para jush Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës të vitit 2025, të përgatitur dhe të konsoliduar nga Thesari i Kosovës. Raporti prezanton ekzekutimin e buxhetit nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor 2025, sipas ndarjes në dhjetor të buxhetit”, deklaroi Murati.

Ministri shpjegoi se, sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025, të miratuar më 10 dhjetor 2024, plani vjetor për pranimet, hyrjet buxhetore dhe financimet e tjera ishte 3 miliardë e 835 milionë euro, ndërsa plani i pagesave, përkatësisht daljeve buxhetore, ishte 3 miliardë e 782 milionë euro.

“Me Ligjin 08/L-332 për ndarjet buxhetore të vitit 2025, të miratuar më 10 dhjetor 2024, plani vjetor i pranimeve, hyrjeve buxhetore dhe financimeve të tjera ishte 3 miliardë e 835 milionë euro, ndërsa i pagesave apo daljeve ishte 3 miliardë e 782 milionë euro, siç paraqitet në pasqyrën e dytë financiare në faqen tetë të raportit”, tha ai.

Murati theksoi se ligji për ndarjet buxhetore autorizon edhe bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga vitet paraprake, përfshirë të hyrat vetanake, hyrjet e dedikuara dhe donacionet, të cilat bëhen pjesë e buxhetit sipas dispozitave përkatëse.

“Ky ligj autorizon gjithashtu bartjen e hyrjeve dhe të hyrave vetanake të pashpenzuara, hyrjeve të dedikuara dhe donacioneve, të cilat bëhen pjesë përbërëse e buxhetit të vitit, sipas pasqyrës së dytë të raportit vjetor financiar”, u shpreh ministri.

Duke paraqitur të dhënat për realizimin e buxhetit, Murati bëri të ditur se pranimet e përgjithshme gjatë vitit 2025, duke përfshirë fondet në mirëbesim, hyrjet e bartura dhe donatorët, arritën në 3 miliardë e 512 milionë euro.

Sipas tij, kjo shumë përbën 92 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara dhe paraqet rritje prej 9 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Gjatë vitit 2025, gjithsej pranimet, përfshirë fondet mirëbesim, hyrjet e bartura dhe donatorët, janë në shumën prej 3 miliardë e 512 milionë euro, duke paraqitur 92 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara, që përbën një rritje prej 9 për qind krahasuar me vitin paraprak”, deklaroi Murati.

Sa u përket pagesave, ministri tha se gjatë vitit 2025 institucionet kanë realizuar pagesa në vlerë prej 3 miliardë e 487 milionë euro, apo 91 për qind të shumës së përgjithshme vjetore të planifikuar për pagesa.

“Gjatë vitit 2025 janë realizuar pagesa në vlerë prej 3 miliardë e 487 milionë euro, duke paraqitur 91 për qind të pagesave të përgjithshme vjetore të planifikuara, respektivisht një rritje prej 9 për qind krahasuar me realizimin e vitit paraprak”, tha ai.

Murati prezantoi edhe të dhënat për bilancin e fondeve bruto në fund të vitit 2025. Sipas tij, bilanci arriti në 445.23 milionë euro, krahasuar me 423.88 milionë euro sa ishte saldoja fillestare më 1 janar 2025.

Kjo nënkupton se bilanci i fondeve bruto u rrit për 21.35 milionë euro gjatë vitit.

“Në fund të vitit 2025, bilanci i fondeve bruto ishte 445.23 milionë euro, ndërsa saldoja fillestare e fondeve më 1 janar 2025 kishte qenë 423.88 milionë euro, duke shënuar një rritje të bilanceve të ruajtura prej 21.35 milionë euro deri në fund të vitit”, thuhet në të dhënat e prezantuara nga ministri.

Një tjetër tregues i paraqitur nga Murati ishte deficiti buxhetor, i cili sipas rregullave fiskale arriti në 0.07 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kjo është më e ulët se niveli prej 2 për qind të BPV-së që ishte planifikuar.

Ministri ia atribuoi këtë rezultat performancës së buxhetit, duke theksuar se gjatë fundit të vitit ishte arritur të kryhej një numër i madh i obligimeve të mbetura të organizatave buxhetore nga vitet paraprake.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ishte siguruar financim shtesë për skemat sociale, skemat pensionale, studentët dhe kategori të tjera.

“Deficiti buxhetor, sipas rregullave fiskale, ishte 0.07 për qind e Bruto Produktit Vendor, krahasuar me planifikimin që ishte 2 për qind e Bruto Produktit Vendor, për shkak të performancës”, thuhet në deklarimin e ministrit.

Në vijim, Murati theksoi se në fund të vitit ishte arritur të përmbusheshin shumë nga obligimet e mbetura financiare të institucioneve publike.

“Në fund të vitit është arritur të kryhet një numër i madh i obligimeve të mbetura të organizatave buxhetore nga vitet paraprake, si dhe të sigurohet financim shtesë për skemat sociale, pensionale, studentët dhe kategori të tjera”, deklaroi ai.

Në përfundim të prezantimit, ministri tha se pasqyrat vjetore financiare konfirmojnë zbatueshmërinë e rregullave fiskale në fuqi, në përputhje me legjislacionin për financat publike.

Ai bëri të ditur se pasqyrat financiare janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“Pasqyrat vjetore financiare konfirmojnë zbatueshmërinë e rregullave fiskale në fuqi, në bazë të legjislacionit përkatës për financat publike, dhe të njëjtat janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, shtoi Murati.