**Dogana e Kosovës zbulon kanabis në dërgesë postare**
Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi kanabisi në një dërgesë postare, pas kontrolleve rutinë me pajisje skanimi dhe dyshimeve të ngritura nga zyrtarët.
Ngjarja u zbulua gjatë ushtrimit të kontrolleve doganore, kur, pas skanimit me pajisje të specializuara dhe dyshimeve të ngritura nga zyrtari doganor, u vendos të kryhej një kontroll fizik i detajuar i dërgesës. Gjatë këtij kontrolli, u zbuluan 10 cigare të mbushura me substancë të dyshuar kanabisi, si dhe 2 copë torte me përmbajtje të dyshuar po të kanabisit.
Dogana e Kosovës, menjëherë pas zbulimit, njoftoi Njësinë Antidrogë të Policisë së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore. Dërgesa dhe e gjithë përmbajtja e saj janë sekuestruar dhe do të procedohen sipas ligjit në fuqi.
Dogana e Kosovës thekson se do të vijojë angazhimin e saj maksimal në parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të paligjshëm të mallrave, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet kompetente.
