**Dogana zbulon pajisje profesionale të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës**
Dogana e Kosovës ka zbuluar pajisje profesionale për matje topografike dhe gjeodezike, me vlerë rreth 5,400 euro, të cilat nuk ishin deklaruar nga një udhëtar me shtetësi turke në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas njoftimit të Doganës, udhëtari kishte zgjedhur kanalin e gjelbër, i cili u dedikohet pasagjerëve që nuk kanë mallra për të deklaruar.
Gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve, zyrtarët doganorë identifikuan mallin e padeklaruar në bagazhin e udhëtarit. Për shkak të dyshimeve të ngritura, u krye një kontroll fizik i bagazhit. Gjatë këtij kontrolli, u gjetën pajisje profesionale STONEX GPS për matje topografike dhe gjeodezike, të cilat nuk ishin raportuar pranë autoriteteve doganore.
Për mosdeklarimin e këtyre mallrave, në kundërshtim me dispozitat e nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, ndaj rastit është iniciuar procedura për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës thekson përkushtimin e saj në zbatimin e legjislacionit doganor, parandalimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal, si dhe në garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë.
