Drita mposht bindshëm Llapin, thellon krizën e klubit

Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, i është rikthyer fitoreve pas humbjes në xhiron e kaluar ndaj Drenicës, duke triumfuar bindshëm ndaj Llapit në Gjilan.

Në fushën me bar sintetik në Gjilan, Drita shënoi një fitore të pastër 3-0 kundër Llapit, duke e lënë këtë të fundit në një situatë edhe më të vështirë.

Skuadra kampione e Kosovës e nisi shënimin e golave në pjesën e parë, kur Besnik Krasniqi shënoi në minutën e 29-të, duke hapur rezultatin në 1-0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën Drita shtoi edhe dy gola të tjerë.

Vetëm tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë, mbrojtësi Dante shënoi golin e dytë për Dritën, duke çuar shifrat në 2-0.

Në minutën e 63-të, Veton Tusha vulosi rezultatin përfundimtar 3-0, duke shuar çdo shpresë për Llapin.

Pas kësaj humbjeje, Llapi pozicionohet në vendin e tetë me 33 pikë, pesë pikë larg Drenicës, e cila ndodhet në vendin e shtatë. Kujtojmë se vendi i tetë të çon në ndeshjet e barazhit, ndërsa vendi i nëntë, aktualisht i mbajtur nga Ferizaj me po 33 pikë, do të thotë rënie direkte në Ligën e Parë.

Ndërkohë, Drita kryeson tabelën me pesë pikë më shumë se Ballkani, i cili renditet i dyti, ndërsa kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fundin e kampionatit.