Kampionia e Kosovës, Drita është në rrugë të mirë që të kualifikohet për herën e dytë radhazi në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.
Drita momentalisht ëshë skuadra e vetme nga Kosova që ka mbetur pjesë e kualifikimeve të garave evropiane, me bardhekaltërit që janë kualifikuar në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Përballë, Drita do të ketë Tre Fiorin e San Marinos, me ndeshjet që do të luhen më 6 gusht në San Marino dhe më 13 gusht në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në rast se e kalon këtë raund, Drita është shortuar që të luajë me fituesin e përballjes mes Flora Tallin dhe Inter d’Escaldes në “play-off”.
Përkthyer në para, deri më tani, Drita ka fituar 1 milion e 335 mijë euro nga rezultatet e arritura në Evropë këtë edicion.
Kjo shumë mund të rritet deri në 1 milion e 710 mijë, nëse kalon në fazën e “play-offit”.
Poqëse Drita kalon në fazën e ligës së Konferencës, do të fitojë hiç më pak se 4 milionë e 180 mijë euro.
Në fazën e ligës, sikur vjet, Drita do të luante gjashtë ndeshje, me gjashtë kundërshtarë të ndryshëm – tri ndeshje si vendas, e tri ndeshje si mysafir.
Një fitore në fazën e ligës vlen 400 mijë euro, një barazim 200 mijë euro dhe humbja nuk sjellë fare të ardhura.
Sezonin e kaluar, Drita arriti të grumbullojë tetë pikë, duke shënuar dy fitore, dy barazime e dy humbje.
Në total, vetëm në fazën e ligës, Drita kishte fituar 1 milion e 200 mijë euro.
Drita e kishte mposhtur Shelbournen e Shkëndijën, teksa kishte barazuar me KuPS e Omonia. Humbjet i kishte pësuar nga AZ Alkmaar dhe Rayo Vallecano.
Skuadra gjilanase kishte arritur të kalojë fazën e ligës, për t’u kualifikuar në fazën e “play-offit” të eliminimit direkt në Ligën e Konferencës, për t’u mposhtur dy herë nga 3-2 prej Celjes së Sllovenisë./GazetaExpress/
