Autoritetet gjermane flasin për një nivel të ri kërcënimi pas zbulimit të një droni të pajisur me eksploziv në aeroportin e Lajpcig/Hale, pranë një avioni ukrainas.

Ministri i Brendshëm gjerman, Aleksander Dobrindt, e cilësoi ngjarjen si një “skenar hibrid sulmi”, ndërsa nuk përjashtoi përfshirjen e “forcave armiqësore”, pa specifikuar se për cilat vende bëhet fjalë.

Dobrindt deklaroi se hetimet po zhvillohen “në çdo drejtim”, duke theksuar se në rastet e kërcënimeve hibride “nuk është gjithmonë e qartë nga vijnë ato”. Sipas tij, një gjë është e sigurt, se “autorët nuk janë amatorë”.

Sipas mediave gjermane, droni katërhelikësh u zbulua rreth orës 23:42 të së martës nga një punonjës i shërbimit tokësor të aeroportit. Pajisja ndodhej në tokë, vetëm pak metra larg një avioni transporti ukrainas të tipit Antonov.

Aeroporti i Lajpcig/Hales është një qendër e rëndësishme për transportin e pajisjeve ushtarake drejt Ukrainës.

Ministri gjerman bëri të ditur se pajisja shpërthyese përmbante lëndën Semtex dhe u neutralizua përmes një shpërthimi të kontrolluar. Edhe pse kishte një detonator, shpërthimi nuk ndodhi pasi ai ishte shkëputur nga mekanizmi.

Ndërkohë, po atë mbrëmje u regjistrua edhe një tjetër incident serioz, pasi një avion i kompanisë DHL u përplas në ajër me një objekt të panjohur gjatë ngritjes nga aeroporti i Lajpcig/Hales. Avioni arriti të ulej në një tjetër aeroport pa probleme.

Brenda pak orësh, Gjermania u përball kështu me dy incidente të rënda me autorë ende të paidentifikuar. Autoritetet nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, përfshirë mundësinë e përfshirjes së Rusisë, megjithëse një skenar i tillë do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të tensioneve me Moskën.

Gazeta gjermane Die Zeit raportoi se pista e përfshirjes së Rusisë është vetëm një nga skenarët që po shqyrtohen nga hetuesit gjermanë.

Ndërsa Berlini po tregohet i kujdesshëm në deklarata, Ukraina shfaqet më e bindur për autorësinë e Moskës. Ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksii Makeiev, deklaroi për televizionin gjerman Welt TV: “Kush tjetër mund të ishte përveç Rusisë?”. /Panorama