Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka ndarë entuziazmin e saj në prag të nisjes së Sunny Hill Festival, duke u shprehur se mezi pret të ngjitet në skenë para publikut në Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja tha se vizitoi mbrëmë hapësirën e festivalit për të parë nga afër përgatitjet e fundit dhe vlerësoi punën e familjes së saj dhe të gjithë ekipit që kanë bërë të mundur organizimin e festivalit.
“Jemi rikthyer! Nuk mund ta besoj se do ta nisim edicionin e shtatë të Sunny Hill Festival. Vizitova mbrëmë hapësirën e festivalit për të parë gjithçka para se të nisë sot dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar. Ndihem shumë krenare për familjen tonë dhe gjithë ekipin për gjithçka që kanë bërë për ta realizuar këtë festival,” shkroi Dua Lipa.
Artistja zbuloi gjithashtu se dita e djeshme ishte edhe më e veçantë për të, pasi u bë kumbarë.
“Mund të them se lotët nuk më janë ndalur gjithë ditën… Shihemi sonte, Prishtinë!”, përfundoi ajo.
Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 2 gusht, duke sjellë në skenë artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa Dua Lipa do të jetë një nga emrat kryesorë të këtij edicioni.

