**Sami Lushtaku publikon pamje të papublikuara menjëherë pas Masakrës së Rezallës**
Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sami Lushtaku, ka publikuar pamje të filmuara menjëherë pas Masakrës së Rezallës, e cila shënon sot përvjetorin e saj të dhimbshëm. Këto pamje, siç thekson Lushtaku, flasin për dhimbjen dhe të vërtetën e asaj dite tragjike.
Në një postim në Facebook, Lushtaku ka shkruar: “Pamje menjëherë pas Masakrës së Rezallës, në të cilën flet dhimbja por edhe e vërteta. Mes emrave të trupave të pajetë, me zë të rënduar, evidentonim një nga një të rënët, që të mos harrohen kurrë.”
Ai kujton gjithashtu bashkëluftëtarët që ishin pranë tij në ato momente të rënda: “Krah meje qëndronin bashkëluftëtarët Malush Ahmeti, Ilaz Dërguti, Liman Musliu, Ahmet Zabeli, Jeset Lushtaku, Avni Zabeli, Zekë Zabeli e shumë të tjerë, të vendosur përballë regjimit kriminal serb dhe të betuar për lirinë e Kosovës. Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës”, përfundon postimin Lushtaku.
5 prilli mbetet një nga datat më të dhimbshme në historinë e Kosovës. Në vitin 1999, në Rezallë të Skenderajt dhe fshatrat përreth, forcat serbe vranë 98 shqiptarë, prej të cilëve 44 trupa u tentuan të zhdukeshin për të fshehur gjurmët e krimit. Kjo masakër u krye nga regjimi i Millosheviqit, duke lënë një plagë të thellë në kujtesën kolektive të popullit kosovar.
