Mungesa në Kombëtare para Ukrainës: Ajeti dhe Ramadani largohen nga grumbullimi

Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur sot drejt Valencias, në Spanjë, ku do të vijojë përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Ukrainës, e caktuar për më 31 mars. Megjithatë, jo të gjithë lojtarët kanë udhëtuar, pasi Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar për dy ndryshime në listën e ekipit.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Arlind Ajeti dhe mesfushorin Ylber Ramadani, të cilët nuk do të jenë pjesë e skuadrës për këtë grumbullim.

Arlind Ajeti, i cili u zëvendësua gjatë pjesës së parë të ndeshjes Poloni-Shqipëri, ka pësuar një dëmtim në shpatullën e majtë. Vlerësimet e para sugjerojnë se dëmtimi është i tillë që e bën të pamundur aktivizimin e tij. Për këtë arsye, mbrojtësi do të kthehet në klubin e tij për ekzaminime të mëtejshme dhe trajtim.

Ndërkohë, Ylber Ramadani do të largohet nga grumbullimi për arsye familjare. Bashkëshortja e tij është në pritje të lindjes së fëmijës, dhe ai do të kthehet në shtëpi për të qenë pranë saj në këtë moment të rëndësishëm.

Në ndeshjen kundër Polonisë, Ajeti luajti vetëm 18 minuta para se të zëvendësohej, ndërsa Ramadani nuk u aktivizua fare.

Kjo ndeshje miqësore vjen pas eliminimit të Shqipërisë në gjysmëfinalen e fazës play-off kualifikuese për Kupën e Botës, ku u mposht 2-1 nga Polonia. Edhe Ukraina, kundërshtarja e radhës, pësoi humbje 3-1 ndaj Suedisë në të njëjtën fazë, duke bërë që të dyja skuadrat të përballen në këtë test parapërgatitor.