Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka vlerësuar si historike fitoren e Kombëtares së Kosovës, “Dardanëve”, ndaj Sllovakisë. Ky sukses i ka siguruar ekipit vendin në finalen e play-off-it për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ku më 31 mars do të përballen me Turqinë.

Përmes një postimi në Facebook, Ademi theksoi se kjo fitore ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.

Ai citon: “Dardanët tanë triumfuan në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, duke bërë një hap gjigant drejt ëndrrës sonë të madhe. Kjo nuk ishte vetëm një ndeshje… ishte dëshmi e karakterit, e sakrificës dhe e shpirtit të pathyeshëm që e mban gjallë këtë Kombëtare.”

Më tej, kreu i FFK-së theksoi se “Dardanët” nuk dorëzohen kurrë, ndërsa uroi futbollistët, stafin dhe tifozët për triumfin e arritur.

Ai shtoi: “Në një atmosferë të shkëlqyeshme nga tifozët tanë, Dardanët treguan se Kosova nuk dorëzohet kurrë! Urime futbollistëve, stafit dhe të gjithë tifozëve që ishin zemra e kësaj fitoreje, si në stadium ashtu edhe kudo në botë. Tani jemi vetëm një hap larg historisë…”

Ademi shprehu mirënjohje të thellë për çdo tifoz të pranishëm në stadium për mbështetjen e fuqishme, si dhe për gjithë popullin në Kosovë dhe Diasporë që qëndron afër ekipit. Ai përfundoi mesazhin me fjalët: “Vazhdojmë bashkë, me besim të plotë drejt finales!”