Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin drejt Turqisë të 32-vjeçares Julide Yazici, e arrestuar në Shqipëri nën dyshimin për lidhje me një organizatë terroriste, siç mëson Top Channel.
Dy muaj më parë Gjykata e Apelit la në fuqi masën “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeç, e cila u arrestua në Shqipëri pasi rezultoi e shpallur në kërkim nga autoritetet turke.
Yazici, e cila sipas të dhënave të bëra publike ka përfituar azil politik në Francë, akuzohet nga drejtësia turke për dhënie ndihme logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Ajo ishte shpallur në kërkim për përfshirjen e dyshuar në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll janë gjetur prova që lidhen me hetimin. Për këtë çështje, Yazici është dënuar në mungesë me 4 vite burgim.
Në seancat gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimit të saj kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se, nëse ekstradohet drejt Turqisë, i rrezikohet jeta. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e saj.
E reja me profesion mësuese, dyshohet për dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe është arrestuar për llogari të shtetit Turk si e kërkuar.
Yazici rezulton e dënuar me katër vjet burgim për këto vepra, ndërsa i kanë mbetur pa kryer edhe tre vjet 5 muaj e 22 ditë.
Ajo është arrestuar për qëllime ekstradimi dhe u arrestua në Rinas teksa po udhëtonte nga Franca për në Shqipëri. Nga verifikimet në pikën kufitare të Rinasit u konstatua se ishte në kërkim nga Interpol Ankaraja.
Një burim pranë Interpol Ankara i tregoi Top Channel se para shtatë vitesh e dyshuara ka qentë studente dhe ka marrë pjesë në protestat kundër qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan./TCh/
