**Afati për aplikim të subjekteve të reja politike mbyllet sonte, shtohen 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur në garën elektorale të 7 qershorit**

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se sonte, më 10 maj, në orën 24:00, mbyllet afati për aplikimin e subjekteve të reja politike për certifikim, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se, përveç 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen, edhe një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur pritet të jenë pjesë e garës.

Elezi bëri të ditur se, deri rreth orës 19:00 të ditës së sotme, KQZ kishte pranuar aplikimet për certifikim nga tre koalicionet e njoftuara, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Sipas tij, subjektet e reja që kanë dorëzuar aplikimet për certifikim janë:

* Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga partitë politike Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane;
* Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan;
* Koalicioni “Ashkalitë e Bashkuar”, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim;
* Nisma qytetare “Složno Pobeđujemo”;
* Kandidati i pavarur Esmir Kasi.

Elezi sqaroi se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara. Prandaj, aplikimi për certifikim, që përmbyllet në mesnatë, vlen vetëm për subjektet e reja politike, si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Ndërkaq, afati 11-ditor për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike, përfshirë ato të reja dhe partitë ekzistuese, do të përmbyllet më 12 maj.