**Dhjetë fakte interesante rreth syzeve**

Syzet janë gjerësisht në përdorim sot, por ato nuk janë një shpikje e re. Krijimi i tyre daton shekuj më parë, duke evoluar vazhdimisht në formë deri në modelet që përdoren sot, shkruan Nanyang.

Më poshtë paraqiten dhjetë fakte interesante rreth kësaj shpikjeje me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzimin:

1. **Guri i parë për lexim:** Lloji i parë i syzeve u shfaq në shekullin e 11-të. Fillimisht njihej si “gur për lexim”, një sferë e vogël qelqi që vendosej mbi shkronjat e vogla për lehtësimin e leximit.

2. **Shpikja e syzeve me kornizë:** Syzet me kornizë u shpikën në Itali në vitin 1284. Ato ishin fillimisht disa lente xhami të montuara në korniza të rënda, të cilat mbaheshin me dorë dhe pozicionoheshin mbi hundë. Kornizat prodhoheshin nga druri, bakri, lëkura ose kockat.

3. **Shiritat për veshë:** Prodhuesit spanjollë të syzeve, rreth vitit 1700, filluan të vendosnin fjongo në lente dhe të krijonin shirita që kalonin pas veshëve, për të parandaluar rrëshqitjen nga hunda. Me këtë shpikje, syzet nuk kishin më nevojë të mbaheshin me dorë.

4. **Materiali modern:** Pavarësisht emrit në anglisht (“glasses”), lentet e syzeve nuk janë domosdoshmërisht prej qelqi. Të paktën, jo ato moderne. Sot, lentet krijohen nga plastika, nëpërmjet teknologjisë së sofistikuar, dhe përmbajnë një filtër mbrojtës ndaj rrezeve ultravjollcë. Lentet e sotme janë më të holla, më të lehta dhe më të qëndrueshme se qelqi, duke qenë se nuk thyhen lehtë dhe u rezistojnë gërvishtjeve.

5. **Shpikja e lenteve bifokale nga Benjamin Franklin:** Benjamin Franklin, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vuante si nga largpamësia ashtu edhe nga shkurtpamësia dhe përdorte dy lloje syzesh. I lodhur nga ndërrimi i vazhdueshëm i syzeve sipas nevojës, ai shpiku lentet bifokale. Vendosi dy lente të ndryshme në të njëjtën kornizë: pjesa e sipërme shërbente për shikimin e objekteve të largëta, ndërsa ajo e poshtme ndihmonte në lexim.

6. **Përdorimi i syzeve të huaja:** Përkundër thashethemeve se përdorimi i syzeve të dikujt tjetër dëmton sytë, kjo nuk është e vërtetë. Mund të përjetoni dhimbje koke si pasojë e tendosjes apo lodhjes së syve nëse mbani syzet e huaja, megjithatë, kjo nuk shkakton dëmtim të përhershëm.

7. **Dallimi mes syzeve të lira dhe të shtrenjta:** Syzet e lira dhe ato të shtrenjta nuk ndryshojnë në aspektin e mbrojtjes bazë nga rrezet ultravjollcë. Të dyja kategoritë i mbrojnë sytë në këtë drejtim. Megjithatë, syzet e shtrenjta ofrojnë teknologji më të avancuar mbrojtëse dhe janë më të personalizuara sipas nevojave të përdoruesit. Gjithashtu, çmimi varet edhe nga modeli dhe lloji i kornizave.

8. **Koleksionisti i madh i syzeve:** Këngëtari dhe kompozitori Sir Elton John ishte ndoshta koleksionuesi më i madh i syzeve. Në koleksionin e tij ai kishte më shumë se 25 mijë palë syze.

9. **Ray-Ban dhe “Top Gun”:** Para se Tom Cruise të luante në filmin “Top Gun”, syzet e markës “Ray-Ban” ishin dizajnuar ekskluzivisht për pilotët e ushtrisë amerikane.

10. **Nevojat globale:** Sipas studimeve, gjysma e njerëzve në botë kanë nevojë të përdorin syze.