Një gjykatë në Kaliforni dënoi të premten aktorin Nick Pasqual për tentativën e vrasjes së ish-të dashurës së tij, grimeres Allie Shehorn, pasi ai e sulmoi brutalisht me thikë në shtëpinë e saj dy vjet më parë.
Pasqual u shpall fajtor për të gjitha akuzat dhe përballet me burgim të përjetshëm, raporton People, transmeton Indeksonline.
Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit, Pasqual hyri me forcë në shtëpinë e Shehorn rreth orës 4:30 të mëngjesit më 23 maj 2024.
Ai i shkaktoi asaj dëmtime të rënda trupore në sulm, të cilin prokurorët e quajtën një akt dhune në familje dhe se Pasqual “personalisht përdori një thikë gjatë kryerjes së krimit”.
Aktori, i njohur për rolin e tij në serialin “How I Met Your Mother”, iku nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë në pikën kufitare SHBA-Meksikë në Sierra Blanca të Teksasit.
Gati dy vjet pas sulmit, një juri në San Fernando e shpalli Pasqualin fajtor të premten për tentativë vrasjeje, vjedhje me thyerje të shkallës së parë dhe sulm të rënduar ndaj partneres së tij. Ai përballet me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm, sipas mediave lokale.
Shehorn, e cila kishte shenja të dukshme në krah dhe qafë, dëshmoi gjithashtu gjatë gjyqit. Ajo përshkroi një grindje të dhunshme që i parapriu ndarjes së tyre. “E kyça derën, por ai filloi ta godiste me grusht dhe e theu,” tha ajo. “Vrapova në banjo sepse mendova se kishte edhe një dryn atje.”/Indeksonline/
