**Mitrovicë Veri: Zbulohen dy lokale bixhozi, katër persona shoqërohen në Polici**
Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar, ka zbuluar dy lokale në Mitrovicë Veri, ku dyshohet se organizoheshin lojëra të paligjshme fati.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, janë gjetur dhe sekuestruar telefona celularë, laptopë, dokumente dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e këtyre aktiviteteve të paligjshme.
Për të gjitha veprimet e ndërmarra, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar nisjen e procedurave penale për veprën “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Në lidhje me rastin, katër persona janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku pas intervistimit dhe me udhëzimet e Prokurorit të Shtetit, janë liruar. Ndërkohë, dy lokalet e identifikuara janë mbyllur nga Inspektorati Sanitar.
