**Rigjykimi i ’53-milionëshit’: Pal Lekaj dënohet sërish me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv**
Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe pas rigjykimit të çështjes së njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur sërish aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe tre zyrtarëve të tjerë. Pal Lekaj, bashkë me Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, u dënuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Vendimi i Gjykatës rikonfirmoi dënimet e shqiptuara edhe në gjykimin e parë. Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv. Përveç dënimit me burg, ndaj tij u shqiptua edhe masë plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike për një periudhë prej 3 vjet e 6 muaj.
Ndërkaq, Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 2 vjet. Nebih Shatri po ashtu u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe ndalim të funksioneve publike për 2 vjet. Eset Berisha u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim, me masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 3 vjet.
Të akuzuarit, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës, Eset Berisha, si këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm i ministrisë, dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në të njëjtën ministri, u ngarkuan nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, siç raportohet nga “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi u mor të mërkurën nga trupi gjykues, i përbërë nga kryetarja Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Rrahman Beqiri e Donikë Shala-Abdyli. Gjatë shpalljes së vendimit, të pranishëm ishin prokurori special Valdet Gashi, si dhe avokatët mbrojtës Artan Qerkini (për Lekajn), Afrim Salihu (për Berishën) dhe Urim Vokshi (për Tahirin).
Kjo çështje ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi dënime të ngjashme ishin shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024. Në atë kohë, të katër të akuzuarit ishin dënuar me një total prej 10 vjet e 3 muaj burgim. Një zhvillim i mëparshëm ishte edhe refuzimi i kërkesës së të akuzuarit Eset Berisha për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, kërkesë kjo e refuzuar nga ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.
