Shefi i Asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Egzon Pacolli, ka mbështetur qëndrimet e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët u pozicionuan kundër marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Pacolli ka shkruar se Kryesia e LDK-së nuk mund t’ua imponojë vendimet deputetëve, të cilët së bashku kanë marrë mbi 230 mijë vota.

Tutje, ai ka kritikuar edhe mbledhjen e Kryesisë para mbledhjes së Grupit Parlamentar, duke theksuar se deputetët janë ata që kanë të drejtë vote në Kuvendin e Kosovës.

Pacolli shkruan:

10 anëtarë të Kryesisë, të cilët nuk janë deputetë dhe që kanë kandiduar për deputet në zgjedhjet e fundit, kanë marrë së bashku 81 mijë vota.

Ndërsa 6 deputetët kanë së bashku mbi 230 mijë vota.

Këto janë shifra që duhet të na bëjnë të reflektojmë.

Por përtej shifrave, është edhe një çështje parimi: Kryesia nuk mund t’ua imponojë vendimet deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.

Madje, vendimet e një Kryesie të formuar në kundërshtim me Statutin as nuk mund të imponohen, as të diskutohen si të ishin vendime të rregullta, e aq më pak të “respektohen”.

Nëse synimi ishte të diskutohej qëndrimi i deputetëve, pse fillimisht nuk u thirr mbledhja e Grupit Parlamentar, por mbledhja e Kryesisë?

Pse u zgjodh Kryesia para Grupit Parlamentar?

Sepse krijimi i opinionit publik dhe vendosja e deputetëve nën presion nuk është demokraci e brendshme. Është përpjekje për t’i kërcënuar politikisht përfaqësuesit e qytetarëve.

Deputetët nuk janë të emëruar nga Kryesia. Janë të zgjedhur nga populli.

LDK-ja nuk mund të funksionojë me imponim, presion dhe nënshtrim.