Ekzistojnë dyshime se Nurije Sylaj ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekaj-Sylajt.

Sipas dyshimeve të paraqitura në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga IndeksOnline, Nurije Sylaj, që nga 22 tetori 2026, kur viktima ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht atë.

Në telefonin e saj mobil janë gjetur fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e viktimës.

Po ashtu, në të njëjtin telefon është gjetur një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet, e cila dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Prokuroria dyshon se këto veprime janë kryer në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë, me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar kështu realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.

Dyshimet ndaj Nurije Sylajt lidhen edhe me praninë e saj në shtëpi në ditën kritike, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj dyshohet se e sulmoi Arlindën me sëpatë.

Sipas Prokurorisë, ajo nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ndodhej aty dhe ishte në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se pas ngjarjes, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares, Nurije Sylaj kishte tentuar të devijonte hetimet dhe të fshihte rrethanat e vërteta të ngjarjes./IndeksOnline/