Arrestohet në Kosovë spanjolli i akuzuar për rrëmbimin e një vajze 6-vjeçare

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe INTERPOL-in, ka njoftuar arrestimin e një shtetasi spanjoll të dyshuar për rrëmbimin e një vajze 6-vjeçare.

Operacioni, i cili rezultoi i suksesshëm, çoi në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit së bashku me fëmijën e rrëmbyer më 24 qershor, në një lokacion në Fushë-Kosovë.

Burime të portalit IndeksOnline bëjnë me dije se i dyshuari u kap në lagjen Eliza dhe është identifikuar si Andreas Loch.

Nga ana tjetër, Garda Civile Spanjolle ka ofruar detaje ekskluzive rreth ngjarjes, duke theksuar se babai kishte planifikuar me kujdes arratisjen.

Hetimet nisën pas kallëzimit të nënës së fëmijës, e cila denoncoi zhdukjen e vajzës dhe njoftoi autoritetet se ish-partneri i saj ishte larguar nga Spanja me fëmijën. Policia spanjolle konstatoi se arratisja ishte organizuar paraprakisht dhe se i dyshuari kishte ndërmarrë masa të shumta për të shmangur zbulimin.

Një nga detajet më të pazakonta të hetimit ishte zbulimi i një pajisjeje gjurmuese “AirTag”, të cilën vajza e kishte fshehur në çantën e saj. Megjithatë, hetuesit zbuluan se pajisja ishte futur në një zarf postar të destinuar për në Marok, në një përpjekje për të mashtruar autoritetet dhe për t’i drejtuar hetimet në një drejtim të gabuar, sipas medias spanjolle “Todo Alicante”.