ShSKUK pezullon drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, pas ndalimit nga drejtësia

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar pezullimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berisha. Ky vendim vjen pas konfirmimit zyrtar të ndalimit të tij nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet se masa e pezullimit do të zbatohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. ShSKUK i konsideron pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje si jashtëzakonisht të rënda, duke theksuar qëndrimin e saj për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës.

“Askush nuk është mbi ligjin”, theksohet në njoftimin e ShSKUK-së. Po ashtu, ShSKUK ka garantuar se do të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes dhe funksionimin normal të Spitalit të Mitrovicës, me qëllim që të mos ketë asnjë pengesë në ofrimin e shërbimeve thelbësore për pacientët.