Ekspertët sugjerojnë se diaspora mund të ketë përfaqësim të garantuar me deputetë në Kuvendin e Kosovës në të ardhmen. Kjo vjen pasi votat e mërgatës kanë ndikuar ndjeshëm në shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet e fundit, një trend që pritet të vazhdojë të thellohet.
Ndikimi i votave nga diaspora është pjesë kyçe e të gjitha proceseve zgjedhore dhe shpeshherë lëviz edhe renditjen e kandidatëve individualë për deputetë. Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, siguroi pesë mandate shtesë falë votave të ardhura nga mërgata.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ky trend pritet të forcohet më tej. Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, thekson se nuk përjashtohet mundësia që në ciklet e ardhshme zgjedhore, nëse ky trend vijon të rritet dhe performanca e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet pothuajse dyfishi i mesatares kombëtare, numri i deputetëve që diaspora mund të ndikojë të jetë më i lartë se pesë. “Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 kemi pasur tre mandate, dhe në zgjedhjet e dhjetorit (të një viti të mëparshëm) dy deri në tre, tashmë kemi arritur në pesë, dhe gjasat janë që ky numër të rritet,” deklaroi Cakolli për Tëvë1.
Në këto zgjedhje, mbi 22 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit e shfrytëzuan të drejtën e votës.
Profesori Mazllum Baraliu vlerëson se diaspora mund të ketë përfaqësim direkt në Kuvend, përmes deputetëve me kuotë të caktuar. Megjithatë, ai thekson se një ndryshim i tillë kërkon domosdoshmërisht amendamentimin e Kushtetutës. “Do të ishte më mirë që të ketë përfaqësim direkt, e ky përfaqësim do të thotë përmes deputetëve me kuotë të caktuar në Kuvend dhe përmes Qeverisë dhe institucioneve të tjera. Mirëpo, ne kemi një pengesë për të bërë këtë sepse me Kushtetutë nuk parashihet një gjë e tillë. Ka shumë shtete që e kanë, atëherë duhet ndryshimi dhe plotësimi i Kushtetutës në mënyrë që të fusim një numër të caktuar të deputetëve ku diaspora do të konkurronte dhe t’i kishte të siguruara, pra me preferencë,” shpjegoi Baraliu.
Në zgjedhjet e vitit 2021, votat e diasporës kishin ndikuar në ndryshimin e renditjes për dy deputetë.
