**Ekspertët: Thirrjet e Vuçiqit për Listën Serbe Cenojnë Demokracinë dhe Zgjedhjet në Kosovë**

Ekspertë të sigurisë dhe analistë politikë në Kosovë vlerësojnë se thirrjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mbështetjen e Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare përbëjnë ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor dhe cenojnë demokracinë në vend.

Ata theksojnë se Serbia përpiqet vazhdimisht të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë në Kosovë, duke përdorur presione politike, mbështetje financiare dhe strukturat e saj në terren. Këto veprime, sipas tyre, pengojnë pluralizmin politik brenda komunitetit serb dhe dëmtojnë rëndë procesin demokratik në Kosovë.

Shkëlzen Sopjani, ish-inspektor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), shpjegon se Serbia përpiqet vazhdimisht të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë në Kosovë përmes mekanizmave të saj politikë dhe institucionalë.

“Vuçiq tenton drejtpërdrejt të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë sa herë që ka procese zgjedhore në Kosovë. Ai shfrytëzon mekanizmat e tij në Republikën e Kosovës, duke shantazhuar votuesit, për të kanalizuar votën e komunitetit serb drejt Listës Serbe,” thotë Sopjani. Ai thekson se Lista Serbe është botërisht e njohur si një zgjatim i politikave të Vuçiqit dhe nuk ka shfaqur asnjëherë qëndrime në kundërshtim me vullnetin e tij. Sipas Sopjanit, ky është një ndikim i drejtpërdrejtë në votues dhe në procesin zgjedhor, pasi synohet të manipulohet vullneti i votuesve kosovarë.

Sopjani thekson se tendencat për ndërhyrje nga Serbia dhe Rusia janë të vazhdueshme, me qëllim dëmtimin e proceseve zgjedhore dhe cenimin e demokracisë në Kosovë. Megjithatë, ai shpreh besimin se këto tendenca nuk do të jenë të suksesshme, pasi institucionet e sigurisë dhe ato përgjegjëse për menaxhimin e procesit zgjedhor në Kosovë janë mjaftueshëm të pjekura dhe me përvojë të konsiderueshme.

Sopjani parashikon se tendencat ndërhyrëse do të vazhdojnë pavarësisht ndryshimeve të mundshme në pushtetin serb, duke vënë në pah se as protestat studentore në Beograd nuk kanë shfaqur ndryshime në politikat shoviniste krahasuar me regjimin e Vuçiqit. Ai nuk pret ndonjë ndryshim në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, çka nënkupton vazhdimësinë e këtyre tendencave. Suksesei i tyre, sipas Sopjanit, varet nga vigjilenca e institucioneve të sigurisë të Kosovës, duke theksuar se nuk sheh shumë hapësirë për arritjen e qëllimeve serbe.

Sopjani thekson gjithashtu se proceset zgjedhore në Kosovë njihen si ndër më demokratiket në rajon dhe se institucionet e sigurisë janë të mirëpërgatitura për menaxhimin e tyre. “Sa më shumë zgjedhje të menaxhohen, aq më e madhe bëhet përvoja dhe aq më të vogla janë mundësitë për probleme apo incidente,” përfundon ai.

Analisti politik Afrim Kasolli konfirmon se Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë, duke mbështetur Listën Serbe dhe duke ndikuar mbi komunitetin serb. “Kjo nuk është hera e parë; Serbia vazhdimisht ka intervenuar në proceset zgjedhore tek komuniteti serb në Kosovë, duke përkrahur Listën Serbe,” shprehet Kasolli. Ai shton se kjo bëhet përmes punësimeve, infrastrukturës financiare dhe ndihmave sociale, me qëllim orientimin e qëndrimit të qytetarëve serbë drejt Listës Serbe. “Këto veprime konstante, si dhe thirrjet, paraqesin cenim të lirisë së zgjedhjes dhe të vullnetit autonom të qytetarëve serbë. Ato pengojnë lindjen e një pluralizmi të mirëfilltë brenda komunitetit serb, gjë që është në interes të Kosovës,” thekson Kasolli.

Sipas Kasollit, ndërhyrjet e Serbisë ndikojnë negativisht në procesin demokratik dhe pengojnë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Kasolli përmend edhe votimet grupore që ndodhin vazhdimisht ditën e zgjedhjeve brenda komunitetit serb, si masa të vazhdueshme me të cilat Serbia ndikon negativisht duke cenuar procesin demokratik të votimit. Ai shpjegon se në terma afatgjatë, këto ndërhyrje mbajnë peng qytetarët dhe krijojnë një iluzion të panevojshëm. Në vend që t’i kërkojnë zgjidhje problemeve të tyre brenda institucioneve shtetërore të Kosovës, ata e shohin votimin për Listën Serbe si një mekanizëm për të ushqyer ëndrrat nacionaliste serbe, me shpresën e ripushtimit dhe dominimit të ardhshëm të Serbisë mbi Kosovën. “Këto sjellje dëmtojnë procesin aktual zgjedhor dhe, në terma afatgjatë, pengojnë orientimin e duhur të këtij komuniteti drejt integrimit të mirëfilltë në Kosovë,” përfundon Kasolli.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen nesër.