Daut Haradinaj pretendon: Fatmir Sheholli dëshmoi në UDB kundër tij dhe Thaçit, ekziston incizim 2-orësh
Daut Haradinaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin “Jehona Politike”, ka folur për qarkullimin e informacioneve dhe provave të ndryshme që, sipas tij, u dërgohen deputetëve dhe zyrtarëve të lartë.
Haradinaj u shpreh se është i bindur që dhjetëra deputetë dhe zyrtarë të tjerë marrin çdo ditë informacione anonime. Ai theksoi se kur këto informacione shoqërohen me prova konkrete, nuk ka vend për dyshim.
Duke u ndalur konkretisht te rasti i Fatmir Shehollit, Haradinaj deklaroi se ekziston një incizim dy-orësh. Sipas tij, në këtë incizim, Sheholli raporton në UDB-në e Beogradit kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe vetë Daut Haradinajt. Ky raportim, sipas Haradinajt, ka ndodhur para katër vitesh. Ai shtoi se ky incizim ekziston, por nuk është bërë publik.
Haradinaj theksoi rëndësinë e dorëzimit të informacioneve dhe provave të tilla institucioneve kompetente. Ai shtoi se disa informacione nuk duhet të bëhen publike, por duhet t’u dorëzohen Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorisë. Sipas tij, institucionet përkatëse duhet të kryejnë detyrat e tyre, duke theksuar se Policia, AKI-ja dhe ushtria përbëjnë boshtin kurrizor të shtetit të Kosovës dhe i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë perfekte.
Në fund, Haradinaj e konsideroi normale bashkëpunimin e institucioneve të inteligjencës së Kosovës me shërbime të tjera inteligjente.
