Shivon Zilis, nëna e katër fëmijëve të manjatit Elon Musk, ka bërë publike disa mesazhe private, të cilat ajo pretendon se ia ka dërguar miliarderi, pak kohë pasi ai e hoqi nga lista e personave që ndiqte në platformën X.

Zilis deklaron se Musk i ka dhënë fund marrëdhënies së tyre në mënyrë të papritur dhe pa paralajmërim, vetëm pak ditë pasi i kishte shprehur dashurinë. Për të mbështetur këtë pretendim, ajo ka shpërndarë edhe pamje nga bisedat mes tyre.

Ajo shprehet se, “Është e vështirë që brenda një jave, pa asnjë paralajmërim, të kalosh nga dashuria te ndarja, por ndonjëherë gjëra të tilla ndodhin.”

Zilis thekson se postimi i saj nuk është një shprehje hidhërimi, por përkundrazi, ajo ndihet mirënjohëse që ka arritur t’i ofrojë Muskut ndjesinë se dikush e “kupton thellësisht, kujdeset për të dhe e do në mënyrë të qetë, me stabilitet dhe butësi.”

Ajo ka shpërndarë gjithashtu një pamje ekrani, e cila, sipas saj, tregon një pjesë të bisedës me Musk më 24 shtator. Në mesazhet e shfaqura, ai thuhet se e cilëson atë “partneren e tij të jetës” dhe i shpreh dashuri.

Në një postim tjetër në X, Zilis ka deklaruar se mënyra se si përfundoi marrëdhënia i kishte ardhur krejt papritur.