Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shpjeguar se pas përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, më 4 prill, detyrat e kreut të shtetit do t’i kalojnë automatikisht kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pa qenë i nevojshëm ndonjë vendim apo urdhër formal.

Zoti Hasani është shprehur i bindur se Neni 90 i Kushtetutës është plotësisht i zbatueshëm edhe në rastin e përfundimit të mandatit të Presidentes Vjosa Osmani.

Sipas profesorit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përfundimi i mandatit të Presidentes Osmani nuk përbën një situatë të paprecedentë.

Hasani sqaroi se në rastin konkret kemi të bëjmë me një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, çështje e cila është sqaruar me anë të aktgjykimit të vitit 2011, pas largimit të ish-Presidentit Behgjet Pacolli.

“Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behgjet Pacolli,” theksoi Hasani.

Ai shtoi se “Ky aktgjykim dhe kjo praktikë e bëjnë të qartë se kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, fillon ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të kreut të shtetit për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh,” ka theksuar ai për “Papracin”.

Në këto rrethana, Hasani thekson se nuk është i nevojshëm asnjë votim në Kuvend, dhe asnjë autorizim nga Presidentja në largim.

Hasani sqaroi më tej se kalimi i kompetencave te kryetarja e Kuvendit realizohet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, e njëjta praktikë është ndjekur edhe në raste të mëparshme, si pas dorëheqjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, kur ushtrimin e detyrës e mori kryetarja e Kuvendit, në atë kohë Vjosa Osmani.