Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka sqaruar se pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, më 4 prill, përgjegjësitë e kreut të shtetit i kalojnë automatikisht kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Ky kalim bëhet pa nevojën për ndonjë vendim apo urdhër formal.

Hasani theksoi se Neni 90 i Kushtetutës është plotësisht i zbatueshëm edhe në rastin e përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, duke hedhur poshtë çdo dilemë lidhur me këtë çështje.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare shtoi se përfundimi i mandatit presidencial nuk përbën një situatë të paprecedentë. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, çështje e sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, pas largimit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.

“Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e krijuar pas largimit të zotit Behgjet Pacolli,” ka deklaruar Hasani. “Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, merr përsipër ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të kreut të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj.”

Ai nënvizoi se në këto rrethana, nuk nevojitet as votim në Kuvend dhe as ndonjë autorizim nga presidentja në detyrë.

Hasani shtoi se kalimi i kompetencave tek kryetarja e Kuvendit bëhet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë është ndjekur edhe në raste të mëparshme, si pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, kur detyrën e kreut të shtetit e mori kryetarja e Kuvendit, asokohe Vjosa Osmani.