**Enver Hasani: Xhandarmëria, një fushatë dhe plan i Kurtit për krijimin e një strukture personalisht besnike ndaj tij**

Kryeministri Albin Kurti befasoi shumëkënd javën e kaluar kur njoftoi planet për krijimin e një force të re të sigurisë në vend, xhandarmërisë.

Menjëherë pas deklaratës së Kurtit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, firmosi vendimin për krijimin e një grupi punues për formimin e këtij mekanizmi. Personat e afërt me Kurti i përshëndetën këto veprime, duke shpallur në postime se “xhandarmëria po bëhet”.

Lidhur me këtë nismë, profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, njëherësh ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e sheh këtë lëvizje të Kurtit të lidhur me zgjedhjet dhe me planet e tij për të krijuar një strukturë personalisht besnike. Ai i shprehu pikëpamjet e tij për xhandarmërinë të premten, në një intervistë për Gazetën Express, të cilën e publikojmë sot.

**Gazeta Express:** Kryeministri Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, njoftoi planet për themelimin e xhandarmërisë, një forcë tjetër sigurie në vend. Cilat janë motivet e Kurtit, bazuar në vëzhgimet tuaja?

**E. Hasani:** Janë dy arsye pse Kurti e ndërmerr këtë hap në këtë kohë. E para është se termi “xhandarmëri” rezonon mirë me votuesin “injorant”, i cili e percepton atë si një strukturë represive që mund të përdoret kundër “gardës së vjetër që ka vjedhur”, pra si një instrument për sekuestrimin e pasurisë së fituar padrejtësisht. Kjo përbën propagandë klasike, e drejtuar ndaj votuesit të paarsimuar dhe politikisht të papjekur.

Arsyeja e dytë lidhet me faktin se zoti Kurti nuk ka kontroll të plotë mbi FSK-në, pasi aty rol të rëndësishëm luajnë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Ndërkohë, Policinë e Kosovës ai e konsideron jo plotësisht të besueshme dhe të lidhur me qeveritë e kaluara, prandaj vështirë e sheh si një forcë që mund të bëhet plotësisht besnike ndaj tij. Për këtë arsye, synimi i tij është të krijojë një strukturë të re nga e para, të mbushur me militantë dhe persona personalisht besnikë ndaj tij.

**Gazeta Express:** Ministri Sveçla ndërmori menjëherë veprime për vënien në jetë të idesë së Kurtit. Sipas jush, a ka bazë ligjore për krijimin e një force të tillë, apo e lejon Kushtetuta këtë?

**E. Hasani:** Sigurisht që asnjë strukturë e re e sigurisë, e cila nuk parashikohet nga Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të formohet. Jo vetëm në Kosovë, por askund ku ekziston xhandarmëria apo një forcë ekuivalente, një gjë e tillë parashikohet nga kushtetuta kombëtare. Formimi i xhandarmërisë nuk është në kompetencë të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe as të ministrisë që ai drejton. Kjo është propagandë. Për të qenë një iniciativë serioze, e cila nuk synon krijimin e një force parapolitike dhe ekstrakushtetuese, procesi do të duhej të niste në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe ekspertëve të sigurisë nga Kosova dhe jashtë saj, si dhe me një përfshirje të fuqishme të komuniteteve joshumicë dhe ekspertëve kushtetues nga vendi dhe Evropa.

**Gazeta Express:** NATO dhe BE thanë se po presin më shumë detaje për këtë nismë të kryeministrit në detyrë, ndërkohë që vetë Kurti tha se xhandarmëria nuk është “zëvendësim” për KFOR-in, por bashkëpunëtore e KFOR-it. A prisni ndonjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje?

**E.Hasani:** Është detyrim kushtetues i Kosovës, i shprehur në dispozitat e Kushtetutës, që çdo gjë që lidhet me sigurinë thelbësore të vendit, siç është çështja e kufijve, duhet të koordinohet me faktorët përkatës ndërkombëtarë. Ky detyrim kushtetues është njëkohësisht edhe detyrim ndërkombëtar, i bazuar në Rezolutën 1244 dhe në paragrafin e fundit të Deklaratës së Pavarësisë.

Për këto dy arsye, reagimi i NATO-s dhe BE-së është i kujdesshëm. Pra, bëhet fjalë për formimin e një strukture sigurie që ka implikime të forta rajonale, kushtetuese (në rast se nuk ndiqet rruga e duhur kushtetuese) dhe ndërkombëtare, pasi dyfishon kompetencat për të cilat aktualisht përgjegjësia finale i takon KFOR-it.

Thënë ndryshe, nëse nuk ndiqen standardet e duhura të sigurisë – për të cilat Kosova nuk ka aq shumë ndikim sa mund të mendojë qeveria – si dhe standardet kushtetuese që kërkojnë ndryshime kushtetuese, dhe standardet ndërkombëtare që lidhen me Rezolutën 1244 (ku Kosova praktikisht është jashtë loje dhe duhet të mbështetet te SHBA-ja dhe vendet aleate anëtare të Këshillit të Sigurimit për neutralizimin e pengesave që ky dokument krijon në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë) – atëherë nuk mund të flitet për asgjë tjetër, përveçse për një projekt propagandistik të momentit.

Madje, nëse kjo nismë shtyhet përpara pa një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët e saj, ajo mund të çojë në konfrontim dhe krizë serioze, duke rihapur shumë çështje që lidhen me Kosovën.