Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, është takuar këtë të martë me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas mediave iraniane, gjatë takimit Araghchi i ka përcjellë Witkoff-it kushtet e Teheranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave strategjike më të rëndësishme të transportit detar në rajon.
Kushtet e Iranit përfshijnë heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të vendosur nga SHBA-ja, lirimin e menjëhershëm të aseteve iraniane të ngrira dhe ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet, sipas të njëjtave burime.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se zyrtarët amerikanë dhe iranianë kishin zhvilluar një takim “shumë të mirë”, i cili zgjati tre orë, duke shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump u bëri thirrje liderëve që të jenë “të bashkuar në ushtrimin e presionit ndaj Iranit”.
Ai tha se duhet të marrë një vendim nëse do ta ndihmojë Iranin të rimëkëmbet apo do të zgjedhë një tjetër rrugë, duke deklaruar se duhet të vendosë “nëse do ta asgjësojë Iranin apo do të bëjë një marrëveshje” me Teheranin.
Megjithatë, Trump vlerësoi se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet menjëherë pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit në SHBA.
Duke përsëritur qëndrimin se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, Trump e përshkroi regjimin iranian si “të dobët dhe të dëshpëruar”, duke deklaruar se “ndryshime të mëdha mund të ndodhin shpejt”. /Panorama
