Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, ka shkëlqyer në Irlandë, duke tërhequr vëmendjen dhe vlerësimet e kritikës muzikore britanike dhe irlandeze, përfshirë “The Times” dhe “The Irish Times”. Ajo interpretoi në koncertin gala të organizuar në kuadër të festimeve të 75-vjetorit të Festivalit të Operës Wexford.

Koncerti, i zhvilluar më 17 tetor, solli në skenë emra të njohur të operës ndërkombëtare si Joseph Calleja, Daniela Barcellona, Giorgi Manoshvili dhe Ermonela Jaho. Interpretimet u zhvilluan nën drejtimin e dirigjentit italian Daniele Callegari.

Paraqitja e sopranos shqiptare u theksua veçanërisht për forcën interpretuese dhe ndjeshmërinë artistike, tipare që e kanë dalluar karrierën e saj prej vitesh në skenat më prestigjioze të operës botërore.

Në një recension të publikuar më 19 tetor, kritiku muzikor Neil Fisher, shkruajtur për gazetën britanike “The Times”, vlerësoi veçanërisht dimensionin emocional të interpretimit të Jahos.

Edhe gazeta irlandeze “The Irish Times” solli vlerësime pozitive, ku kritiku Michael Dervan theksoi aftësinë e sopranos për të përcjellë emocione të fuqishme edhe përmes një interpretimi të përmbajtur dhe një këndimi të butë.

Këto vlerësime dëshmojnë një nga tiparet më të dallueshme të artit të Jahos: aftësinë për të ndërthurur teknikën vokale me interpretimin dramatik, duke i dhënë thellësi emocionale çdo paraqitjeje skenike.

Pas koncertit, sopranoja ndau emocionet e rikthimit në Wexford, një festival me të cilin ajo ka një lidhje të veçantë që në fillimet e karrierës së saj ndërkombëtare. Jaho e përshkroi këtë përvojë si një kthim në shtëpi dhe një pjesë të shpirtit të saj, duke shprehur mirënjohje për pritjen dhe atmosferën e mbrëmjes.

Ajo falënderoi drejtuesen artistike të festivalit, Rosetta Cucchi, kolegët, dirigjentin Daniele Callegari, orkestrën dhe publikun, duke e bërë këtë rikthim veçanërisht domethënës.

Festivali i Operës Wexford, i themeluar në vitin 1951, do të shënojë 75-vjetorin e tij në vitin 2026, duke konfirmuar traditën e gjatë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit operistik ndërkombëtar. Edicioni jubilar, që do të mbahet nga 15 deri më 31 tetor 2026, do të përfshijë interpretime dhe aktivitete muzikore që bashkojnë artistë të njohur nga vende të ndryshme.

Për Ermonela Jahon, pjesëmarrja në koncertin gala, pjesë e festimeve paraprake të këtij përvjetori, ka një domethënie të veçantë, pasi festivali ka qenë pjesë e rrugëtimit të saj artistik që në fazat e hershme të karrierës. Rikthimi në këtë skenë, tashmë si një soprano e vlerësuar ndërkombëtarisht, përfaqëson një moment tjetër të rëndësishëm profesional dhe personal.

Vlerësimet nga dy prej gazetave të njohura britanike dhe irlandeze dëshmojnë interesin e vazhdueshëm të kritikës ndërkombëtare për interpretimet e saj. Me paraqitjen në koncertin gala të Wexfordit, Ermonela Jaho vazhdon të afirmojë praninë e saj në skenën botërore të operës, duke përfaqësuar denjësisht artin shqiptar në ngjarje të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.