**”€URAT”: Instalacioni artistik që rikujton sfidën e Urës së Ibrit në Mitrovicë**

Në Mitrovicë, holli i Qendrës së Kulturës, pranë Urës së Ibrit, ka hapur dyert për instalacionin artistik dhe politik “€URAT.” Kjo vepër e Fehmi Feratit adreson historinë 27-vjeçare të urës dhe mbylljen e saj për qarkullim të lirë.

I inauguruar simbolikisht të enjten mbrëma, instalacioni e shfaq Urën e Ibrit si një emblemë të historisë së gjatë të Mitrovicës, të shoqëruar nga tensione, bllokada, protesta dhe zhvillime politike ndër vite.

Ferati e cilëson strukturën metalike të urës si “relikt, arkitekturë monotone, gërmadhë moderne,” duke vënë në dyshim ekzistencën e një ure që, pas 27 vjetësh, ende nuk funksionon plotësisht.

Fryma e instalacionit buron nga kartëmonedhat euro, në të cilat shfaqen ura të periudhave të ndryshme historike, si simbole të lidhjes dhe bashkimit të popujve evropianë. Nisur nga kjo simbolikë, Ferati ka krijuar një kartëmonedhë imagjinare prej 27 eurosh me imazhin e Urës së Ibrit, duke e lidhur historinë e saj 27-vjeçare me numrin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Përmes tri temave qendrore – “Protestë artistike,” “Sqarim për të shpjeguar,” dhe “Ekzorcizëm” – autori synon të shtrojë pyetje mbi gjendjen aktuale të urës dhe arsyet e vazhdimit të mbylljes së saj, edhe pse në ura të tjera mbi Ibër qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve është i lirë.

Në temën “Sqarim për të shpjeguar,” Ferati kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë të vazhdueshme. Ai thekson mungesën e një shpjegimi bindës për qytetarët e Mitrovicës, të cilët vazhdojnë të pyesin pse ura nuk është ende e hapur për qarkullim të lirë.

Vepra gjithashtu përfshin një qasje ironike ndaj rolit të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, si UNMIK-u, KFOR-i, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i lidhur me ndërhyrjet dhe ngjarjet e ndryshme që kanë shënuar këto vite.

Ndërkohë, në temën “Ekzorcizëm,” Ferati ironizon me simbolikën e urave në kartëmonedhat euro dhe tërheqjen e tyre të paralajmëruar nga qarkullimi. Ai sugjeron që, bashkë me to, të hiqet nga skena historike edhe kartëmonedha imagjinare prej 27 eurosh, me imazhin e Urës së Ibrit, e cila fatkeqësisht mbetet e mbyllur.

Një detaj tjetër i veçuar nga autori është një anketë e thjeshtë e realizuar gjatë punës për instalacionin. Sipas tij, vetëm 0,5% e qytetarëve të anketuar në Kosovë ishin në dijeni se në kartëmonedhat euro shfaqen imazhe urash.

Instalacioni artistik “€URAT” do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 10 nëntor, në hollin e Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.