**Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë: I mitur dyshohet si autor**

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar dje në mbrëmje në Gjakovë, në rrugën “Beqir Kastrati”. Një i mitur dyshohet të jetë autori i kësaj ngjarjeje, e cila besohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes disa personash.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona, përfshirë një të mitur, kanë denoncuar se një i dyshuar, po ashtu i mitur, kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

Sipas raportit policor, incidenti filloi pas një mosmarrëveshjeje, ku i dyshuari i mitur dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri drejt tyre dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja, hetimet kanë vijuar me bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, me vendim të prokurorit. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.