Thijs Reuten: Kosova po humb mundësi, duhet zgjidhje për ngërçin presidencial

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, i njohur për ndihmën e tij ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, ka vlerësuar se bllokadat politike rreth formimit të institucioneve, të cilat vazhdojnë edhe këtë vit, po i shkaktojnë Kosovës humbje të shumta mundësish.

Ai theksoi se forcat politike në vend duhet të lënë mënjanë ndasitë e së kaluarës dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

“Ngërçi politik aktualisht po e çon Kosovën drejt humbjes së mundësive dhe fondeve. Kjo nuk është në interes të asnjë qytetari të Kosovës, pavarësisht se cilën parti ka votuar. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha forcave politike që të bashkohen dhe të tejkalojnë dallimet e së kaluarës,” deklaroi ai gjatë një interviste për KlanKosova.

“Ky nuk është momenti për zvarritje të mëtutjeshme. Unë shpresoj vërtet se nevojat e popullit të Kosovës do të mbizotërojnë dhe do të çojnë drejt një zgjidhjeje,” përfundoi eurodeputeti holandez Thijs Reuten.