Faza e Dytë e Liberalizimit të Tregut të Energjisë: Bizneset e Mëdha në Treg të Hapur nga 1 Prilli 2026

KESCO, si Furnizues i Shërbimit Universal, informon publikun dhe komunitetin e biznesit se nga 1 prilli 2026 hyn në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Kjo masë, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), do të transformojë mënyrën e furnizimit për një kategori të caktuar biznesesh.

Në këtë fazë, konsumatorët tregtarë (bizneset) që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Këto biznese janë të detyruara të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur.

Bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, një pjesë e bizneseve nuk i plotësojnë më kriteret për të qenë pjesë e shërbimit universal. Për këtë arsye, KESCO nuk do të mund t’i furnizojë më me tarifa të rregulluara, duke filluar nga data e përmendur.

Bizneset që plotësojnë kriteret e specifikuara duhet të zgjedhin një furnizues të licencuar dhe të fillojnë procedurën e ndërrimit së paku 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar është e disponueshme në faqen zyrtare të ZRrE-së.

Në rast se nuk zgjedhet një furnizues në kohë, biznesi do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Pas këtij afati, në mungesë të një kontrate, furnizimi mund të ndërpritet sipas legjislacionit në fuqi.

Bizneset vetë-konsumatore (prosumatorët) informohen se nga kjo datë përfundon skema aktuale me tarifa të rregulluara, dhe energjia e prodhuar do të trajtohet sipas kontratës me furnizuesin e zgjedhur.

Për të siguruar një proces të saktë dhe pa probleme, KESCO u bën thirrje të gjitha bizneseve që plotësojnë kriteret për t’u kaluar në treg të hapur, të konfirmojnë dhe raportojnë pranë kompanisë numrat e konsumatorit që janë në shfrytëzim. Numri i konsumatorit gjendet në pjesën e sipërme të faturës së energjisë elektrike.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni KESCO-n në:
Email: komerciale@kesco-energy.com
Telefon: 038 501 701 2020 ose 038 79 20 20