KESCO njofton: Bizneset me kritere kalojnë në treg të hapur të energjisë nga 1 Prilli 2026
KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, njofton opinionin publik dhe komunitetin e biznesit se nga data 1 prill 2026 hyn në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Ky ndryshim, i cili bazohet në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), do të prekë një numër të caktuar konsumatorësh komercialë.
Nga kjo datë, konsumatorët komercialë që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Ata janë të detyruar të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur.
Bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, një pjesë e këtyre bizneseve nuk i plotësojnë më kriteret për të qenë pjesë e shërbimit universal, prandaj KESCO nuk do të mundësojë më furnizimin e tyre me tarifa të rregulluara pas datës së përcaktuar.
Bizneset që i plotësojnë kriteret e përcaktuara duhet të përzgjedhin një furnizues të licencuar dhe të nisin procedurën e ndërrimit të paktën 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar është e publikuar në faqen zyrtare të ZRrE-së.
Në rast se furnizuesi nuk përzgjidhet në kohë, biznesi do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Pas këtij afati, në mungesë të një kontrate, furnizimi mund të ndërpritet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për bizneset vetë-konsumatorë (prosumerë), njoftohet se nga kjo datë përfundon skema aktuale e furnizimit me tarifa të rregulluara. Energjia e prodhuar do të trajtohet në bazë të kontratës me furnizuesin e përzgjedhur.
Për të siguruar trajtimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave tuaja gjatë këtij procesi, KESCO fton të gjitha bizneset që kanë plotësuar kriteret për të dalë në treg të hapur, të konfirmojnë dhe raportojnë pranë kompanisë numrat e konsumatorit që operojnë. Numri i konsumatorit mund të gjendet në pjesën e sipërme të faturës së energjisë elektrike.
Për informata shtesë, kontaktoni:
E-mail: komerciale@kesco-energy.com
Tel: 038 501 701 2020 ose 038 79 20 20
