Protestuesit që po marshojnë në Prishtinë në shenjë reagimi ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt, tashmë kanë nisur protestën para objektit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), raporton Ekonomia Online.

Protestuesit paraprakisht janë ndalur para Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, ku kanë hedhur letrën e Arlinda Zekajt, e cila po konsiderohet si testament i saj për shtetin që nuk arriti ta mbronte.

Po ashtu, para objektit të Policisë është hedhur edhe ngjyrë e kuqe, e cila, sipas protestuesve, simbolizon gjakun e grave të vrara.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.