As Galatasaray dhe as Fenerbahçe nuk kanë arritur ende të finalizojnë transferimin e Rafael Leaos, ndërsa në Itali po shtohet bindja se reprezentuesi portugez mund të qëndrojë te Milani edhe për sezonin 2026/27.
Milani ka qenë i hapur për shitjen e Leaos këtë verë. Sulmuesi 26-vjeçar ka kaluar shtatë sezonet e fundit në “San Siro” dhe edhe vetë ka bërë të ditur në disa raste gjatë kësaj vere se e konsideron këtë moment si kohën e duhur për të nisur një sfidë të re në karrierë.
Megjithatë, deri më tani, klubi kuqezi nuk ka gjetur një blerës që plotëson kërkesat si të Milanit, ashtu edhe të vetë lojtarit.
Leao ka shprehur më herët dëshirën për të luajtur në Premier League ose në La Liga, por deri tani interesimi më konkret ka ardhur vetëm nga Turqia, ku si Galatasaray ashtu edhe Fenerbahçe kanë zhvilluar bisedime për një transferim të mundshëm.
Raportimet gjatë fundjavës pretendonin se Fenerbahçe po përgatiste një ofertë të re për Milanin dhe Leaon, me vlerë afro 50 milionë euro. Megjithatë, sipas TMW, lojtari nuk është bindur nga kjo mundësi, ndërsa Milani nuk është i gatshëm të shqyrtojë oferta nën 50 milionë euro.
“Rossonerët” janë të vendosur që Leaon ta shesin vetëm në mënyrë përfundimtare gjatë kësaj vere dhe kërkojnë të paktën 50 milionë euro, ndërsa çmimi i tyre fillestar është rreth 60 milionë euro.
Me më pak se një muaj të mbetur deri në mbylljen e afatit kalimtar dhe pa ndonjë përparim të madh në negociata, po rritet mundësia që Leao të mbetet pjesë e Milanit edhe për sezonin 2026/27.
Sipas Milannews.it, ky mbetet ende skenari më pak i mundshëm për momentin, por është një opsion “që nuk mund të përjashtohet”.
Edhe “Calciomercato” raporton se Milani vazhdon të shpresojë në shitjen e Leaos këtë verë, por pranon se ekziston mundësia që të mos gjendet një zgjidhje dhe portugezi të qëndrojë edhe një sezon tjetër në klub.
Ndërkohë, “TMW” shton se prania e bashkëkombësit të tij, Ruben Amorim, në stolin e Milanit mund të jetë një faktor i rëndësishëm që Leao të vendosë të vazhdojë edhe një vit në “San Siro”./GazetaExpress/
