Ferati: Vlerësimi i dëmeve nga breshri në Istog do të përfundojë brenda shtatë ditësh

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar se komuna ka nisur menjëherë punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshri i rënë dje, ndërsa procesi pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh kalendarike.

Përmes një postimi në Facebook, Ferati theksoi se masat për adresimin e dëmeve nisën menjëherë pas reshjeve. “Ditën e nisëm menjëherë duke ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshërit. Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë,” shkroi ai. Ferati shtoi se komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë brenda afatit prej 7 ditësh.

Gjatë vizitave në terren, Ferati, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, panë nga afër pasojat e breshrit në sipërfaqet bujqësore dhe kulturat që ishin gati për vjelje.

Ferati kërkoi nga ministri Muja veprim urgjent për kompensimin e dëmeve të pësuara nga fermerët. “Gjatë vizitave në terren, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, pamë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht,” theksoi ai. “Nga ministri Muja kërkova që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë. Bashkë rimëkëmbemi, sepse puna nuk ndalet asnjëherë. Falë fermerëve tanë, as fatkeqësi të tilla nuk e ndalin përkushtimin për tokën,” përfundoi Ferati në postimin e tij.