**Fondi i Natasha Kandiq kundërshton ashpër ekspozitën e Shkëlzen Gashit: Serbia vrau civilë, jo persona të armatosur, në Dubravë dhe Meje**

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), organizata e drejtuar nga Natasha Kandiq, ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së Shkëlzen Gashit mbi masakrat e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sipas FDH-së, ekspozita përmban pasaktësi të mëdha, duke paraqitur gabimisht civilët dhe të burgosurit si ‘persona të armatosur’ në raste si Dubrava dhe Meja.

Në komunikatën për media të lëshuar nga FDH, theksohet se të dhënat në ekspozitë, në disa raste, paraqesin një pasqyrë të pasaktë dhe se kjo nuk është çështje interpretimi, por ‘mungesë elementare njohurish mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe leximin e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare’.

FDH trajton specifikisht Masakrën e Burgut të Dubravës, duke theksuar se aty nuk janë vrarë ‘persona të armatosur’, siç paraqitet në ekspozitën e Gashit, por të burgosur shqiptarë. “Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes”, thuhet në komunikatë.

Për shkak të këtyre pasaktësive, organizata e Kandiqit kërkon heqjen e ekspozitës nga hapësira publike. “Njëkohësisht, është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave. Paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”, shton reagimi.

Gabime të ngjashme, sipas FDH-së, janë bërë edhe në rastin e Masakrës së Mejës, ku mes të vrarëve kishte persona që, pavarësisht se më parë mund të kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, më 27 prill ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe, pra viktima të krimeve të luftës.

Organizata e Kandiqit kritikon organizatorët e ekspozitës edhe për mungesë njohurie rreth Reçakut. “Në transkriptin e gjykimit të Slobodan Milošević-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak”, thekson komunikata.

FDH shpreh shqetësim të veçantë për tentativën e Shkëlzen Gashit “të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare”, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të diskredituar “bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”. FDH thekson se baza e të dhënave e saj, që dokumenton mbi 8.500 viktima civile shqiptare të krimeve të luftës, është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë si më e plota dhe më e besueshmja.

Gjithashtu, organizata kujton se Gashi dhe autorët e tjerë kanë botuar më parë librin “Masakrat në Kosovë”, i cili po ashtu përmbante “shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk ishte në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë”. “I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave”, përfundon komunikata.