**Forcohet Koordinimi Doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë**
Koordinimi doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë është forcuar pas takimit të parë zyrtar mes drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, dhe homologut të tij shqiptar, Besmir Beja. Ky i fundit zhvilloi vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës.
Gjatë takimit, të dy drejtorët vlerësuan bashkëpunimin e thellë dhe të qëndrueshëm mes dy administratave, duke theksuar potencialin e konsiderueshëm që të dyja vendet ofrojnë për zhvillim të përbashkët.
U theksua se integrimi i deritanishëm, i cili ka mundësuar zhdoganimin e mallrave në Portin e Durrësit, ka pasur një ndikim të ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe në fuqizimin e transitit përmes këtij porti. Kjo dëshmon qartë përfitimet konkrete që vijnë nga ky bashkëpunim.
Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në të dy administratat doganore dhe u identifikuan fusha të reja për thellimin e bashkëpunimit. Fokusi kryesor do të jetë në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe avancimin e proceseve të përbashkëta.
Palët ritheksuan angazhimin e tyre për një koordinim të ngushtë dhe, në këtë kuadër, u dakorduan për të ndjekur një plan të përbashkët me fusha të qarta bashkëpunimi. Ky plan synon që shkëmbimet të jenë të synuara dhe në përputhje me interesat strategjike të administratave doganore të të dy vendeve.
