Një rrëfim nga konviktet e vitit 1986 më ndihmoi të kuptoj më mirë protestën e sotme: si në të njëjtin shesh mund të bashkohen njerëz që nuk i lidh asgjë tjetër përveç pakënaqësisë
Shkruan Baton Haxhiu
Derisa po ndjek çdo ditë protestën para Kryeministrisë, më erdhi në mendje një histori që ma tregoi pak ditë më parë një mik i vjetër. Kishte ikur nga Kosova për të shpëtuar veten nga regjimi serb dhe jetonte në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Një histori nga konviktet e studentëve në vitin 1986.
Miku im kishte banuar në të njëjtën dhomë me Hysamedin Ferajn. Ishin vite të tjera. Ishte një Shqipëri tjetër. Ishte koha kur ideologjia nuk ishte thjesht bindje politike. Ishte fe. Ishte identitet. Ishte mënyrë jetese.
Më tregonte se sa enverist i bindur ishte Hysamedini në ato vite. Aq i bindur, sa një ditë një fotografi e Enver Hoxhës u bë shkak për një nga episodet më të pabesueshme që ai kishte parë ndonjëherë në jetën e tij.

Në dhomë ndodhej edhe studenti Blerim Sariqka. Ai i kërkonte vazhdimisht Hysamedinit fotografinë e Enverit. Fillimisht me humor. Pastaj me këmbëngulje. Më pas me sfidë. Miku im kujton se Blerimi iu afrua dritares dhe i tha disa herë: “Ma jep fotografinë”. Hysamedini refuzoi. Blerimi vuri njërën këmbë mbi pragun e dritares dhe përsëriti të njëjtën kërkesë. Refuzimi vazhdoi. Hysamedini kishte shtrënguar foton e Enverit me dy duart dhe e mbante të paprekur në gjoks. Herën e parë askush nuk e besoi. Herën e dytë askush nuk e mori seriozisht. Herën e tretë Blerimi u hodh.
Paramendojeni! Nga kati i tretë.
Për disa sekonda të gjithë mbetën të ngrirë. Pastaj vrapuan poshtë. Blerimi kishte shpëtuar për mrekulli, megjithëse me plagë dhe dëmtime serioze. Mund të kishte humbur shtyllën kurrizore. Mund të kishte humbur jetën. Por kishte përfunduar me thyerje eshtrash për foton e Enverit që Hysamedini e mbante vetëm për vete.
Nuk e di nëse kjo histori e ka ndjekur Hysamedinin gjatë gjithë jetës së tij. Nuk e di nëse ai e kujton ende. Por ndërsa dëgjoja rrëfimin, nuk po mendoja për komunizmin. Nuk po mendoja për Enver Hoxhën. Nuk po mendoja as për fotografinë.
Po mendoja për forcën që kanë ndonjëherë idetë mbi njerëzit, sepse në fund të fundit nuk ishte një fotografi ajo që mbrohej me aq fanatizëm. Ishte një besim. Ishte një adhurim. Ishte bindja se një simbol vlente më shumë se gjithçka tjetër.
Dhe njeriu ka të drejtë të ndryshojë. Madje është e natyrshme të ndryshojë. Do të ishte e padrejtë të gjykonim dikë sot për atë që ka qenë dyzet vjet më parë. Por historia mbetet interesante për një arsye tjetër. Sepse shpesh njerëzit ndryshojnë idetë e tyre, por nuk ndryshojnë mënyrën se si besojnë.
Ndryshojnë flamurin. Ndryshojnë ideologjinë. Ndryshojnë armiqtë. Ndryshojnë aleatët. Por pasioni absolut për një ide mbetet i njëjtë. Dhe pikërisht kjo më shkoi ndër mend kur e pashë Hysamedin Ferajn në protestë.
Jo Hysamedinin e vitit 1986, por Hysamedinin e vitit 2026.
Në të njëjtin shesh me liberalë që vijnë nga bota e Fred Abrahams. Në të njëjtin shesh me ambientalistë. Në të njëjtin shesh me Arlind Qorin. Në të njëjtin shesh me njerëz që e kanë kaluar jetën duke luftuar gjithçka që përfaqësonte komunizmi. Në të njëjtin shesh me të rinj që nuk kanë asnjë lidhje me asnjërën prej këtyre historive.

Vetëm ky fakt tregon natyrën e vërtetë të protestës. Kjo nuk është një protestë ideologjike. Nuk është protestë e së majtës, as nuk është protestë e së djathtës. Nuk është protestë liberale, siç nuk është protestë ambientaliste, as protestë kundër Trumpit dhe as vetëm kundër Ramës.
Është një protestë e pakënaqësive që kanë humbur adresën e tyre politike, prandaj në të njëjtin shesh mund të gjendet Hysamedin Feraj, Fredi Abrahams, Arlind Qorin, ambientalistët, të rinjtë e zhgënjyer dhe njerëz që nuk do të votonin kurrë për njëri tjetrin.
Ajo që i bashkon nuk është ideja, është mungesa e përfaqësimit. Dhe pikërisht këtu ndodhet forca e protestës, por edhe dobësia e saj.
Forca e saj është se mbledh energji nga shumë drejtime të ndryshme. Dobësia e saj është se ende nuk ka një ide të përbashkët që t’i japë drejtim asaj energjie.
Për këtë arsye, ndërsa shikoja protestën, nuk po mendoja për numrin e njerëzve në shesh. Nuk po mendoja as për fjalimet, por po mendoja për atë fotografi të Enver Hoxhës në një dhomë konvikti në vitin 1986.
Sepse ndonjëherë një histori e vogël të ndihmon të kuptosh një histori shumë më të madhe. Dhe historia më e madhe që po shoh sot nuk është historia e Hysamedin Ferajt, por është historia e një Shqipërie ku gjithnjë e më shumë njerëz nuk po gjejnë më një adresë politike ku të ndihen të përfaqësuar.
