Restaurimi i minares më të famshme të Afganistanit është treguesi më i fundit se sundimtarët talibanë të vendit po ndjekin një qasje të kalkuluar ndaj trashëgimisë kulturore, në dallim nga paraardhësit e tyre të viteve 1990, të cilët shkatërronin statuja, thonë ekspertët.

Pamjet nga puna për mbrojtjen e Minaresë së Xhamit, e cila është në listën e UNESCO-s, u publikuan në mesin e shtatorit, kur një zyrtar taliban vizitoi monumentin e shekullit XII, i cili ndodhet në një luginë të izoluar të provincës Ghor të Afganistanit, për të parë nga afër përpjekjet për rehabilitimin e tij, që raportohet se kanë nisur në korrik.

Një zëdhënës i lidhur me Aga Khan Trust for Culture, i cili po punon në këtë monument në bashkëpunim me disa organizata të tjera, i tha REL-it se projekti përfshin “ndërhyrje emergjente për konsolidimin e një pjese kritike të kolonës së brendshme të muraturës në bazën e minares”.

Struktura e izoluar prej tullash është dëmtuar vazhdimisht nga përmbytjet dhe ka qenë prej kohësh në rrezik shembjeje.

Një fotografi e siguruar nga Aga Khan Development Network tregon punimet restauruese në Minaren e Xhamit në fillim të shtatorit.
Një fotografi e siguruar nga Aga Khan Development Network tregon punimet restauruese në Minaren e Xhamit në fillim të shtatorit.

Jolyon Leslie është arkitekt britanik i specializuar për konservimin, i cili jeton në Afganistan që nga fillimi i viteve 1990 dhe ka punuar me talibanët e parë që sunduan Afganistanin nga viti 1996 deri më 2001.

Leslie i tha REL-it se sundimtarët aktualë të vendit duket se janë “më të informuar për çështjet kulturore dhe të vetëdijshëm për imazhin e tyre kur bëhet fjalë për t’u parë si mbrojtës të trashëgimisë së tyre”, krahasuar me sundimtarët e mëparshëm talibanë.

Eksperti për mbrojtjen e trashëgimisë, i cili punon me Afghan Cultural Heritage Consulting Organization, shtoi se, bazuar në përvojën e organizatës së tij, “që nga viti 2021 [autoritetet talibane] kanë qenë kryesisht mbështetëse të punës për konservimin dhe nuk kanë ndërhyrë në punën tonë, e cila ka përfshirë trashëgiminë budiste dhe hebraike”.

Në shkurt të vitit 2001, udhëheqësit e parë talibanë të Afganistanit urdhëruan shkatërrimin e statujave dhe faltoreve jomyslimane në vend.

Urdhri u pasua, në mënyrën më famëkeqe, nga shkatërrimi i Budave të Bamijanit, si dhe nga shkatërrimi i mijëra statujave të lashta në Muzeun Kombëtar të Afganistanit në Kabul, disa muaj para se talibanët të largoheshin nga pushteti.

Menjëherë pasi talibanët rimorën kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, Leslie ishte i vetmi perëndimor i pranishëm në një takim në muzeun e Kabulit, gjatë të cilit, siç kujtoi më vonë, një zyrtar taliban la të kuptohej se kishte pendesë për shkatërrimin e vitit 2001, për shkak të zemërimit global që ai shkaktoi.

Turistë kinezë në Muzeun e Kabulit në prill 2025.
Turistë kinezë në Muzeun e Kabulit në prill 2025.

Gil Stein, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Çikagos, i cili udhëhoqi përpjekjet për restaurimin e statujave të shkatërruara të muzeut, vëren se qasja e talibanëve aktualë ndaj trashëgimisë kulturore qëndron në kontrast të theksuar me aspekte të tjera të qeverisjes së grupit radikal.

“Si çdo gjë tjetër në Afganistan, situata është komplekse dhe kontradiktore. Parimi më themelor është se nuk mund ta konsiderojmë qeverinë talibane si një njësi të vetme dhe monolitike”, i tha Stein REL-it.

“Kjo është një pjesë e madhe e arsyes pse ka dallime të mëdha mes politikave të talibanëve ndaj grave, të cilat janë drakonike, dhe politikave të tyre ndaj trashëgimisë kulturore, të cilat janë më të nuancuara dhe ndryshojnë sipas rajonit dhe largësisë nga Kabuli.”

Talibanët kanë kufizuar rëndë të drejtat e grave dhe vajzave, përfshirë kufizimin e mundësive të tyre për të punuar dhe studiuar, si dhe duke i detyruar të mbulohen nga koka te këmbët në publik.

Një prezantuese e lajmeve, me fytyrën e mbuluar, flet me një të ftuar në një studio në Kabul në maj 2022.
Një prezantuese e lajmeve, me fytyrën e mbuluar, flet me një të ftuar në një studio në Kabul në maj 2022.

Ndryshimi në retorikën për trashëgiminë kulturore i parapriu rikthimit në pushtet të talibanëve aktualë.

Në shkurt të vitit 2021, disa muaj para marrjes së Kabulit, grupi militant i ringjallur nxori një urdhër ku u bënte thirrje “të gjithë muxhahedinëve” që të “ruanin të gjitha vendet historike, si fortesat e vjetra, minaret, kullat dhe vende të tjera të ngjashme, për t’i mbrojtur ato nga dëmtimi, shkatërrimi dhe degradimi”.

Shumë njerëz e panë me dyshim këtë urdhër dhe, ndërsa talibanët përparonin drejt Kabulit në vitin 2021, disa kuratorë muzeumesh zhvendosën me urgjencë thesaret kulturore në vende të fshehta magazinimi.

Por, menjëherë pas rënies së Kabulit në vitin 2021, Muzeu Kombëtar u rihap – nën mbikëqyrjen e armatosur të talibanëve – dhe që atëherë janë miratuar disa projekte restaurimi, përfshirë një sinagogë në provincën Herat, në perëndim të Afganistanit.

Punëtorë brenda Minarës së Xhamit gjatë punimeve në vazhdim të restaurimit.
Punëtorë brenda Minarës së Xhamit gjatë punimeve në vazhdim të restaurimit.

“Në përgjithësi, mua më duket se ideologjia e përgjithshme e talibanëve nuk ka ndryshuar, por ata janë bërë më pragmatikë dhe më të kujdesshëm në mënyrën se si zbatojnë politikat e tyre për trashëgiminë kulturore në vendet ku ato janë më të dukshme për të huajt”, tha Stein, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth restaurimit të Minarës së Xhamit.

Sipas Aga Khan Development Network, hulumtimi për minaren po kryhet në partneritet me Ministrinë e Kulturës së Afganistanit, e cila drejtohet nga talibanët, dhe me Fondacionin ALIPH, një organizatë për trashëgiminë kulturore me bazë në Gjenevë.

Hulumtimi pritet të përfundojë në vitin 2027 dhe “do të rezultojë me rekomandime për autoritetet afgane lidhur me masat e mëtejshme shkencore të nevojshme për sigurimin e sitit”. /REL