**PDK: Garë e ngushtë për mandate në Kuvend, ja kush rrezikon të mbetet jashtë**

Numërimi i votave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vijon, ndërsa tensioni shtohet për kandidatët brenda partive, të cilët presin të shohin nëse kanë siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Përveç garës së brendshme partiake, dinamikën e rezultateve mund ta ndryshojë edhe numri i madh i votave nga diaspora, sidomos ato të synuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve për subjektet e tjera. Prandaj, rezultatet përfundimtare mbeten të paqarta derisa të numërohen të gjitha votat.

Sipas përditësimeve më të fundit nga KQZ, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa (Remi), ka grumbulluar 18,481 vota dhe, për momentin, konsiderohet si një nga të zgjedhurit. Ai lë pas kandidatët Hajdar Beqa, i cili ka aktualisht 18,243 vota, dhe Xhavit Haliti, që e ndjek me 18,213 vota. Të dy këta kandidatë, me diferenca të ngushta votash, rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë përbërjes së ardhshme të Kuvendit.