Nis projekt madhor në Shëngjin: Lidhja e Ranës së Hedhun me Velipojën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur nisjen e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, ndërtimin e bypasit të Shëngjinit, i cili do të lidhë zonën turistike të Ranës së Hedhun me Velipojën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rama theksoi se ky investim ka për qëllim të lehtësojë ndjeshëm trafikun rrugor gjatë sezonit veror, duke shmangur ngarkesën në qendër të Shëngjinit dhe duke krijuar një aks të ri rrugor me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit.

“Bypasi i Shëngjinit është një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për turizmin në veri,” shkroi Rama. “Ky aks do të shmangë bllokimet e trafikut në qendër të qytetit dhe do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve gjatë sezonit veror, duke lidhur Shëngjinin me Ranën e Hedhun dhe më tej me Velipojën. I ndërtuar përgjatë malit të Rrencit, bypasi do të shërbejë gjithashtu si një rrugë panoramike që rrit atraktivitetin turistik të zonës. Punimet pritet të përfundojnë në shkurt 2027,” përfundoi Rama.