Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër lidhur me gërmimet e reja për varrezë masive në Kalludër të Zubin Potokut, duke deklaruar se Serbia ende fle mbi varreza masive dhe vazhdon të përsërisë krimet e së kaluarës.
Përmes një postimi, Osmani theksoi se Serbia fsheh në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo shtoi se mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve të pambyllura.
“Serbia ende fle mbi varreza masive! Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, mijëra familje në Kosovë ende jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve që nuk janë mbyllur kurrë,” shkroi Presidentja Osmani.
Ajo rikujtoi rastin e dhimbshëm të rrëmbimit të intelektualëve nga Mitrovica: “23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 25 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbetet gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës.”
Sipas Osmanit, zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se Kosova ndan një kufi prej qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të shkaktuar shkatërrim.
Osmani e mbylli reagimin e saj me një thirrje për unitet: “Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë.”
