**Sherr për pronë në Malishevë: Gjashtë persona të arrestuar**

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona në Malishevë, pas një incidenti të dhunshëm që lidhet me një mosmarrëveshje pronësore.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet erdhën pas një sherri mes palëve, i cili degjeneroi në dhunë fizike mes tyre.

Gjatë kontrollit, nga njëri prej të dyshuarve u konfiskuan dy brisqe, një pistoletë me një fishek dhe një gëzhojë, e cila dyshohet se është përdorur për të shtëna paralajmëruese në ajër.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, pesë prej të dyshuarve u dërguan në mbajtje, ndërsa i gjashti u lirua. Rasti mbetet në procedurë hetimore.