Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka akuzuar pushtetin aktual për shmangie nga përgjegjësitë, duke theksuar se kjo po e zhyt Kosovën drejt një vakumi institucional. Ai i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që t’i japë fund bllokadës institucionale dhe të mundësojë funksionimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë shtypi nga foltorja e Kuvendit, Ramadani theksoi se është “plotësisht e pakuptueshme” që vakumi institucional të mos konsiderohet si një çështje e sigurisë kombëtare.
“Shqetësimi ynë i përbashkët është domosdoshmëria që Kosova dhe Kuvendi të jenë funksionalë,” deklaroi ai. Ramadani përmendi si shembuj të pasojave të k kësaj situate rrezikun e rrjedhjes së lumit Ibër-Lepenc, pasi nuk ka kush ta adresojë, si dhe çmimet e larta.
Ai theksoi se askush nuk e vë në dyshim fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit, por sipas tij, është vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ai që po konteston situatën aktuale politike.
“Askush nuk ua konteston fitoren e qershorit. Ne jemi të bindur se kjo do të jetë fitorja e tyre e fundit. Nuk po i kontestojmë në asnjë aspekt, është vetë Kurti ai që po konteston,” u shpreh Ramadani.
Ramadani akuzoi pushtetin se po shmanget nga përgjegjësitë dhe paralajmëroi se AAK-ja nuk do të lejojë që Kosova të mbetet në vakum institucional.
“Ata po shmangen nga përgjegjësitë. Këtë nuk do ta lejojmë. Kemi për detyrë të mos lejojmë që Kosova të futet në vakum institucional,” deklaroi ai.
Ai shtoi se nëse pas kësaj situate fshihen qëllime të tjera, “kjo do të shihet,” duke e cilësuar vakumin institucional si një çështje thelbësore për funksionimin dhe sigurinë e vendit.
