Veturë e vjedhur në Prizren pesë muaj më parë, gjendet në Vushtrri

Policia e Kosovës ka gjetur në një zonë malore të Vushtrrisë një veturë që ishte raportuar e vjedhur në Prizren rreth pesë muaj më parë.

Sipas raportit policor, njësitet e Policisë e identifikuan veturën gjatë kryerjes së detyrave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Pas verifikimit të të dhënave, u konstatua se vetura figuronte si e vjedhur në Prizren.

Policia njoftoi se, në bashkëpunim me hetuesit policorë të Prizrenit, janë duke u ndërmarrë procedurat e nevojshme lidhur me rastin.

Pas përfundimit të këtyre procedurave, vetura pritet t’i kthehet pronarit të saj të ligjshëm.