Gjermania: Mbi 150 Mijë të Rinj Mobilizohen për Protesta Masive Kundër Politikave të Kancelarit Merz
Gjermania po përgatitet për një valë të madhe protestash, të drejtuara nga Gjenerata Z, kundër politikave të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz. Më 31 tetor, dhjetëra mijëra nxënës, studentë dhe të rinj profesionistë pritet të dalin në rrugët e qyteteve kryesore gjermane, duke kundërshtuar shkurtimet e shpenzimeve sociale, rritjen e kostos së jetesës dhe planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në ballë të këtij mobilizimi qëndron lëvizja e re “Gen Z Regelt” (Gjenerata Z Merr Situatën në Dorë). Ata publikuan sot një letër të hapur drejtuar kancelarit Merz, ku akuzojnë qeverinë se po injoron shqetësimet e brezit të ri dhe po rrezikon të ardhmen e tij. “Nuk mund të rrimë më duarkryq duke parë se si ju komprometoni të ardhmen tonë. Politikat tuaja shtrënguese ekonomike po na heqin çdo shpresë,” theksohet në letër.
Organizatorët kritikojnë ashpër politikat ekonomike të qeverisë, shkurtimet në sektorin social, mungesën e masave adekuate ndaj krizës klimatike dhe trajtimin e shqetësimeve të të rinjve lidhur me konfliktet ndërkombëtare. Një tjetër pikë nevralgjike është mundësia e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin të rinjtë e konsiderojnë të papranueshëm. “E gjithë kjo ndodh ndërsa ju refuzoni të na dëgjoni, nuk i merrni seriozisht frikërat tona dhe nuk i merrni parasysh kundërshtimet tona. Durimi ynë ka mbaruar!” thuhet në letër.
Lëvizja paralajmëron se protestat e 31 tetorit do të jenë një demonstrim i vendosmërisë së brezit të ri për të kërkuar ndryshimin e politikave qeveritare. “Politikat tuaja po e çojnë të ardhmen tonë drejt një rruge pa kthim! Prandaj, më 31 tetor, ne do të dalim në rrugë në më shumë se 20 qytete, në mënyrë paqësore, me zë të lartë dhe me vendosmëri,” deklarojnë organizatorët. Demonstratat kryesore janë planifikuar në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, me tubime të tjera në 27 qytete të ndryshme gjermane. Organizatorët kanë njoftuar se mbi 150 mijë persona janë regjistruar tashmë online për të marrë pjesë, megjithëse kjo shifër nuk garanton pjesëmarrjen faktike.
Në qendër të kërkesave të tyre është rritja e financimeve për arsimin, garantimi i një jetese të përballueshme dhe një ndarje më e drejtë e peshës ekonomike. Të rinjtë kërkojnë që qeveria të mos adresojë vështirësitë buxhetore përmes shkurtimeve që, sipas tyre, dëmtojnë brezat e rinj. Ata gjithashtu kërkojnë mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore, kundërshtojnë zgjerimin e mbikëqyrjes shtetërore dhe bëjnë thirrje për masa konkrete kundër ndryshimeve klimatike.
