**Gjermania ekstradon në Kosovë të dyshuarin për vjedhje të rëndë**

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania drejt Kosovës. Personi i ekstraduar kërkohej nga drejtësia kosovare përmes një urdhër-arresti ndërkombëtar, i lëshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Arrestimi i tij nga autoritetet gjermane erdhi pasi ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Ky ekstradim u krye në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Gjermanisë.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, theksoi se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. Ky bashkëpunim ka për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.