Gjyqi ndaj Thaçit shtyhet sërish, vendimi në fundvit?

**Haga, 20 qershor 2024** – Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për akuzat e pengimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shtyrë sërish. Dorëzimi i dosjeve përfundimtare, i parashikuar fillimisht për më 19 qershor, nuk u realizua, megjithëse kjo datë ishte preferuar nga gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell.

Gjyqtari Gosnell e shtyu afatin pas një kërkese të posaçme nga mbrojtja e Fadil Fazliut, për shkak të problemeve shëndetësore të anëtarëve të ekipit të tij. Megjithatë, shtyrja kryesore lidhet me një apel të Prokurorisë së Specializuar (ZPS) kundër vendimit të Gjykatës për rrëzimin e dëshmisë së ekspertit Koen Herlaar.

Gjykata kishte rrëzuar dëshminë e ekspertit nga Instituti Holandez për Kriminalistikë, i cili pretendonte se dokumentet e gjetura në shtëpinë e Isni Kilajt dhe automjetin e Bashkim Smakajt ishin printuar nga Hashim Thaçi. ZPS e çoi çështjen në Apel, dhe një vendim nuk është marrë ende.

Afati i ri për dorëzimin e dosjeve finale është caktuar para datës 3 korrik.

Gjyqtari Christopher Gosnell ka theksuar se “Palët duhet të jenë të gatshme t’i dorëzojnë fjalët përfundimtare pas një njoftimi të shpejtë për shkak të pritjes nga Apeli. Nga palët pritet të dorëzojnë dosjet jo më vonë se tre ditë pune pas njoftimit për vendimin e Apelit.”

Me këtë qëndrim, Gosnell ka shtyrë edhe fjalët përmbyllëse gojore në gjykatore deri pas pushimit veror, duke filluar nga data 17 gusht.

Vendimi përfundimtar, me këtë ritëm, mund të merret deri në fund të vitit. Ai do të bazohet edhe në disa fakte për të cilat nuk ka më debate ligjore ndërmjet ekipeve mbrojtëse të Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçit, si dhe Prokurorisë.

Të martën u publikua paketa e dhjetë e fakteve të pakontestueshme, të cilat përfshijnë dëshmitarë të ZPS-së si Sokol Bashota, Ismet Tara, Demush Krasniqi dhe të tjerë të mbrojtur, që dëshmojnë se asnjëherë nuk janë kontaktuar apo kërcënuar për të ndërhyrë në dëshmitë e tyre që nga fillimi i gjykimit.